Ngadalësohet tregtia në Gjermani – Eksportet bien në Shtator, por porositë industriale përmirësojnë perspektivën
Importet e Gjermanisë ranë më shumë se eksportet për Shtatorin, duke zgjeruar sufiçitin tregtar dhe duke lënë konsumin privat që të jetë nxitësi i ekonomisë më të madhe të Europës.
Eksportet e përshtatura ndaj efekteve sezonalë, ranë me 0.4% gjatë muajit, ndërsa importet rezultuan në një rënie me 1%, tregojnë të dhënat e Zyrës Federale të Statistikave. Kjo tkurrje erdhi pas dy muajve radhazi të rritjes.
Ekonomistët thonë se tregtia nuk do të ketë kontribut të rëndësishëm në rritjen ekonomike për tremujorin, megjithatë perspektiva është më optimiste duke parë rritjen e fortë të kërkesës për mallra gjermane.
Ekonomia gjermane është mbështetur te konsumi, shpenzimet shtetërore dhe ndërtimi, ndërkohë që tregtia është ngadalësuar.
Megjithatë, kërkesa për mallrat gjermanë në Eurozonë dhe jashtë rajonit, kanë sjellë një rritje të aktivitetit në fabrikat e vendit. Kompanitë industriale regjistruan një rritje me 3.6% të porosive për muajin Gusht.
Sufiçiti tregtar u zgjerua në 21.8 miliardë euro nga 21.3 që ishte në Gusht. Sufiçiti i llogarisë korrente, që mat fluksin e mallrave, shërbimeve dhe investimeve, u rrit në 25.4 miliardë euro, krahasuar me 18 miliardë që ishte në Gusht.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.