“Ngec” Demokracia në Shqipëri – The Economist: Asnjë përmirësim në 2018, demokraci hibride
Niveli i demokracisë në Shqipëri ka mbetur në vend, ndërkohë që vijon të klasifikohet si një shtet me një demokraci hibride. Këto janë përfundimet e raportit më të fundit të indeksit të demokracisë në botë të publikuar çdo vit nga prestigjiozja “The Economist”. Por, pavarësisht se në indeksin e përgjithshëm dhe në të 5 shtyllat kryesore, vendi ynë nuk ka fituar asnjë pikë, në renditjen globale ka fituar një pozicion, duke u ngjitur në vendin e 76-të në botë, nga vendi i 77-të që ishte më parë.
Kjo ngjitje në renditje duket se është rrjedhojë e përkeqësimit të të tjerëve. Elementët kryesorë që merren në vlerësim janë: liritë civile, kultura politike, pjesëmarrja politike, funksionimi i qeverisë si dhe sistemi elektoral. Në asnjë prej këtyre shtyllave, Shqipëria nuk ka pësuar ndryshim në krahasim me vitin 2017. Edhe këtë vit, Shqipëria ka dështuar të bëjë hapin cilësor në këtë renditje, pasi për vetëm një vend nuk është pozicionuar dot ndër shtetet e klasifikuara në demokraci me të meta.
Në nivel global, demokracia vlerësohet se ka rënë ndjeshëm, thotë raporti më i fundit i “The Economist” që vlerëson gjendjen e demokracisë nëpër botë. Në rajon ndërkohë, situata nuk ka ndryshuar, pasi Serbia vijon të jetë e para, e ndjekur nga Shqipëria, ndërkohë që Bosnje Hercegovina është në vend të fundit. Maqedonia ka fituar plot 10 pozicione në renditjen e përgjithshme dhe tashmë kërcënon në klasifikim vendin tonë. Ndryshimet më të fundit në modelin e qeverisjes në vendin fqinj duket se kanë nxitur këtë përmirësim të nivelit të demokracisë.\
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.