“Ngec” leximi 3-mujor i energjisë. Kuvendi thirrje ERE-s: “Vendosni afate konkrete për OSHEE-në”
Kuvendi i kërkon Entit Rregullator të Energjisë të caktojë afate konkrete për Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes dhe Furnizuesin e Shërbimit Universal, 2 kompanitë e krijuara nga ndarja e OSHEE-së, lidhur me vënien sa më shpejt në punë të sistemit të ri të faturimit, të paktën në disa projekte pilot të identifikuara nga vetë OSSH. Sipas rezolutës të miratuar javën që kaloi, ky sistem lehtëson në mënyrë të ndjeshme leximin e matjes së energjisë.
Më konkretisht, sistemi i ri i faturimit nënkupton leximin e matësit të energjisë çdo 3 muaj, ku niveli i faturës në 2 muaj vendoset në bazë të mesatares disa vjeçare, ndërsa fatura e tretë është sistemuese, në bazë të energjisë së konsumuar. Gjithashtu, Kuvendi kërkon nga Enti Rregullator që në përfundim të konsultimeve me palët e interesit, aty ku kushtet teknike të kompanisë e lejojnë, të sigurojë përfshirjen në kontratën tip për vitin 2020 të kësaj mënyre leximi të sistemit të matjes.
Ky nuk është viti i parë që deputetët i kërkoj ERE-s të nxitë OSHEE-në për të zbatuar këtë sistem faturimi, por deri më tani ai nuk është bërë funksional. Kjo pavarësisht faktit se edhe administratori i OSHEE, Adrian Çela gjatë raportimit rreth 1 vit më parë, në Komisionin parlamentar të Veprimtarive Prodhuese deklaroi se në periudhën shtator-tetor të vitit të kaluar do të niste pilotimi të sistemit të ri të leximit 3-mujor të matësve, me synimin që më pas ai të shtrihet në të gjithë vendin.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.