“Ngrijnë” kontratat e HEC-eve jo operative – Balluku: Do t’i nënshtrohen skanimit fizik
Të gjitha hidrocentralet e vendit do t’i nënshtrohen procesit të një skanimi fizik. Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku gjatë një deklarate për mediat, ku ka shtuar se procesit të skanimit do t’i nënshtrohet njëkohësisht edhe dokumentacioni licencues. Po ashtu, Balluku deklaroi më tej se MIE ka vendosur të ngrijë të gjitha kontratat të HEC-eve jo operative.
“182 kontrata që i korrespondojnë 440 HEC-eve, sot vetëm 96 janë operative. Ato i përkasin 73 kontratave koncesionare dhe kjo përbën një arsye për një vëzhgim të detajuar për të gjithë kontratat ende jo-operative. Në funksion të një sërë konkluzionesh të nevojshme për të gjykuar strategjinë e këtij sektori, efikasitetin e politikës së ndjekur në vite dhe stimulimin e HEC-eve të vegjël, impaktin ekonomik e social të tyre e me radhë. Në këto kushte, kur kemi shumë më shumë kontrata ende jo operative se sa operative, është koha të bëjmë një ndalesë dhe të gjykojmë për vazhdimësinë. Kam vendosur fillimin e një procesi skanimi të dokumentacionit licencues të çdo subjekti të licencuar dhe po ashtu dhe skanimin fizik të çdo HEC-i dhe subjekti realizues. Ky proces do të ndiqet nga zëvendësministri, zoti Bonati i cili ka bërë një punë voluminoze në sektorin e ujërave. Nga ana tjetër, kam vendosur ngrirjen e të gjitha kontratave jo operative deri në daljen e raportit të skanimit të tyre.”
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.