Ngrohja në shkolla – Veliaj: Me investimet kemi zgjidhur problemet për dimrin
Me investimet e Bashkisë së Tiranës në shkolla është zgjidhur problemi i ngrohjes për sezonin e dimrit”. Deklarata është bërë nga kreybashkiaku Erion Veliaj, i cili shtoi se përveç sistemeve të ngrohjes, vëmendja e institucionit që ai drejton ka qenë edhe te infrastruktura sportive.
“Jam shumë mirënjohës që Tirana doli faqebardhë në këtë fillim të vitit të ri shkollor dhe fokusin kësaj here e kemi pasur tek infrastruktura që i paraprin ditëve të dimrit, ndaj dhe investimet më të mëdha kanë qenë në sistemet e ngrohjes dhe në sistemet sportive, gjithashtu për të fuqizuar rolin që ka sporti. Jo detyrimisht për t’u bërë të gjithë sportistë elitare, por për të futur kulturën e një jete të shëndetshme në një qytet që gjithmonë e më shumë ka probleme me obezitetin dhe me shëndetin e fëmijëve që në moshë të vogël”.
Deklaratat e kryebashkiakut u bënë gjatë përurimit të shkollës ‘Siri Kodra’, e cila hapi dyert për 600 nxënës.
“Me rikonstruksionin e plotë të shkollës “Siri Kodra” i japim fund përfundimisht të gjitha problematikave që kemi pasur me institucionet arsimore, çerdhe, kopshte, shkolla në Njësinë 8. Kjo na liron që të orientohemi më shumë drejt zonave rurale apo në zonat ku ka pasur një degradim të institucioneve arsimore. I ftoj të gjithë qytetarët që të frekuentojnë shkollat e reja, jo vetëm si infrastrukturë, por aty do të gjejnë disa nga mësuesit më të mirë”.
Ndërhyrja për rikonstruksionin e plotë të shkollës 9-vjeçare “Siri Kodra”, konsistoi në sistemimin e të gjitha linjave elektrike, hidraulike, nyjeve higjeno-sanitare, si dhe rehabilitimin e palestrës. Gjithashtu, është realizuar rilyerja e fasadës dhe sistemimi i ambienteve të jashtme.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.