Ngrohja në shkolla, Veliaj: Tirana nuk paraqet problem
Pas ndërprerjes dy javore të mësimit për shkak të mungesë së ngrohjes dhe virozave, Bashkia e Tiranës bën me dije se në institucionet arsimore në kryeqytet nuk paraqitën probleme dhe në 200 shkolla situata është normalizuar nga ndezja e kaldajave.
Megjithëse qeveria nuk e ka pranuar se ndërpreja e mësimit është bërë për shkak të ngrohjes, Bashkia e Tiranës përforcon idenë se të paktën në kryeqytet nuk ka pasur probleme masive në këtë drejtim. Gjatë inaugurimit të shkollës 9-vjeçare “4 Dëshmorët” në Njësinë 8, e cila tashmë ofron ambiente me kushte të mira dhe sistem ngrohje për 482 nxënës në kryeqytet, u bëri apel qytetarëve që për çdo problematikë që hasin, të lajmërojnë në numrin e bashkisë pa pagesë 0 800 0 888.
Nga investimi në shkollën “4 Dëshmorët”, është bërë i mundur hidroizolimi i tarracës së godinës së shkollës në gjithë sipërfaqen; shtrimi i klasave me pllaka, si dhe janë kryer sistemime të jashtme. Gjithashtu, është bërë i mundur rikonstruksioni total i nyjeve sanitare; i rrjetit të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve; i rrjetit elektrik, është realizuar sistemi i ngrohjes për gjithë shkollën dhe vendosja e aerotermave dhe e sistemit të ventilimit për palestrën.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.