Nis aksioni te serviset, DPSHTRR: Të pajisen me leje ose gjoba deri në 400 mijë lekë
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor do të nisë një aksion për kontrollin e subjekteve që ushtrojnë veprimtarinë në fushën e auto-riparimeve dhe transportit rrugor apo siç njihen ndryshe serviset.
Përmes një njoftimi për shtyp, ky dikaster kërkon që këto subjektet të marrin masa për pajisjen me licenca, pasi në të kundërt do të përballen me masa administrative, që variojnë nga 200 mijë-400 mijë lekë.
Gjithashtu, kjo drejtori kujton se masat shoqërohen edhe me konfiskimin e pajisjeve që kanë shërbyer për të kryer veprimtarinë e jashtëligjshme. Paralelisht, kontrolli do të shtihet edhe mbi subjektet e licencuara, për të cilat në rast se do të konstatohen shkelje do të merren masa deri në pezullimin e veprimtarisë.
Ndërkaq, subjektet që ushtrojnë veprimtari në transportin rrugor duhet të marrin masa për pajisjen me autorizimet, lejet, licencat, certifikatat apo dëshmitë përkatëse që parashikon legjislacioni në fuqi.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor ky aksion ka për qëllim eliminimin e konkurrencës së pandershme, informalitetin si ofrimin prej tyre të një shërbimi të kualifikuar dhe profesional.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.