Nis blerja e vaksinave anti-Covid. Marrëveshja/ Parapaguhen 4 milionë USD për 1.1 milionë doza
Qeveria shqiptare ka nisur procedurat e blerjes së afro 1.1 milionë doza vaksinash kundër infeksionit COVID-19, të cilat do të mbulojnë 20 për qind të popullisë më të rriskuar. Marrëveshja e nënshkruar midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrotjes Sociale dhe Aleancës GAVI, për pjesëmarrjen në strukturën globale të qasjes në vaksinat COVID-19 (COVAX Facility), është depozituar për diskutim në Komisionet Parlamentare.
Sipas marrëveshjes, qëllimi është blerja e vaksinës kundër COVID-19 dhe prokurimi sa më i shpejtë për shkak të urgjencës që paraqet dhe rritjes së numrit të infekimeve. Kështu, edhe pse ende nuk ka një vaksinë të certefikuar, qeveria shqiptare angazhohet të paguajë paraprakisht afro 4 milionë dollarë për blerjen e dozave të nevojshme, prej të cilave 456 mijë dollarë do të përdoren si shumë garancie për ndarjen e rrezikut. Koordinuar nga GAVI, COVAX-i synon t’i arrijë qëllimet për prodhimin e vaksinës anti-covid, duke vepruar si një platformë që do të mbështesë kërkimin, zhvillimin dhe prodhimin e një game të gjerë të kandidatëve për vaksina COVID-19 dhe të negociojë çmimet e tyre.
Qëllimi fillestar është që të ketë 2 miliardë doza në dispozicion deri në fund të vitit 2021, të cilat duhet të jenë të mjaftueshme për të mbrojtur njerëzit me rrezikshmëri të lartë kontaminimi, si dhe punonjësit e vijës së parë të kujdesit shëndetësor. Vaksina e cila do të prokurohet nga autoritetet shqiptare duhet të ketë kualifikimin parapak të OBSH-së ose që mbi baza të jashtëzakonshme, minimalisht, zotëron licencën/autorizimin e vendosur nga një SRA.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.