Nis gara e armëve bërthamore – SHBA pezullon traktatin prej mosrespektimit nga Rusia
Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë pezulluar traktatin e armëve bërthamore, diçka që ka shkaktuar shqetësime për nisjen e një gare të ndërtimit të armëve mes 2 superfuqive botërore.
Tërheqja nga Traktati i Forcave Bërthamore të Distancave të Mesme, vjen ndërkohë që Sekretari i Shtetit Mike Pompeo, i dha Rusisë 60 ditë kohë për të respektuar kushtet e paktit bërthamor. Pomepo shtoi se procesi mund të kthehet mbrapsht nëse Rusia përputhet me kushtet.
“Rusia ka refuzuar të ndërmarrë hapa për të respektuar kushtet e traktatit në këto 60 ditë. Për rrjedhojë, Shtetet e Bashkuara do të pezullojnë detyrimet ndaj traktatit të armëve bërthamore. Rusia ka kërcënuar interesat e sigurisë të Shteteve të Bashkuara dhe ne nuk mund të kufizohemi më nga traktati, ndërkohë që Rusia e ka shkelur në mënyrë të paturpshme”, ka deklaruar Mike Pompeo.
Presidenti rus, Vladimir Putin këmbëngul se Moska nuk ka shkelur traktatin, por do të nisë zhvillimin e armëve të reja, pas pezullimit nga Shtetet e Bashkuara.
“Partnerët amerikanë kanë deklaruar se do të pezullojnë pjesëmarrjen te marrëveshja. Ne do të bëjmë të njëjtën gjë”, tha Putin. Traktati, i nënshkruar në vitin 1987 nga presidenti Ronald Reagan dhe lideri sovjetik Mikhail Gorbachov, ndalonte zhvillimin e raketave bërthamore të nisura nga toka me një kapacitet të distancës prej 500 deri në 5,500 kilometra.
Marrëveshja detyroi vendet që të çmontonin 2,500 prella. Në Tetor të vitit të kaluar, Trump tha se SHBA do të tërhiqet nga pakti i periudhës së luftës së Ftohtë dhe dërgoi këshilltarin e sigurisë kombëtare John Bolton që të japë personalisht mesazhin për këtë vendim në Kremlin.
NATO ka bërë gjithashtu thirrje ndaj Moskës që të respektojë urgjentë kushtet e traktatit.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.