Nis instalimi i matësve inteligjentë, Balluku: Ndryshim rrënjësor në faturimin e abonentëve, fund abuzimeve/ Si funksionojnë
Matësit inteligjentë, një sistem i ri për matjen e energjisë elektrike, por një diskutim ‘i vjetër’ që daton në vitin 2015, kanë nisur të aplikohen nëpërmjet projektit pilot. OSHEE, pas përfundimit të fazës së parë në zonën e Durrësit ka nisur instalimin e matësve ‘smart’ në Kashar dhe në Vorë. Sipas njoftimit zyrtar janë në fund të procesit të instalimit 3 mijë e 527 matës inteligjentë, mes së cilëve 1 mijë subjekte private dhe afro 20 shtetërore.
Procesi i instalimit të këtyre matësve u ndoq nga afër nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila u njoh me ecurinë e punës dhe mënyrën e aplikimit të tij. Sipas Ballukut, ky proces është një komponent i rëndësishëm i reformës në sektorin energjetik.
“Ky është një sistem i cili nuk lë asnjë rrugë për abuzime, qoftë nga abonenti por qoftë edhe nga punonjësit e OSHEE-së. Tashmë faturat printohen direkt sipas të dhënave që ky sistem nxjerr. Për më tepër sistemi i matësve inteligjentë ofron gjithashtu kontrollin e automatizuar për të gjitha problemet gjatë shkëputjes së energjisë elektrike apo rilidhjes së saj nga qendra” u shpreh Ministrja.
Nga ana tjetër, Balluku theksoi se matësit inteligjentë do të jenë një përfitim si për abonentin, ashtu dhe për sistemin e shpërndarjes.
“Projekti i Durrësit dhe projekti i Kashar-Vorës, janë dy projektet e para pilot për të vijuar më tej dhe në bashkëpunim me Bankën Botërore për t’a aplikuar në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë matësit inteligjentë të cilët kanë të gjitha këto veti të dobishme si për abonentin ashtu dhe për sistemin e shpërndarjes” shtoi ministrja.
Nëpërmjet matësve inteligjentë, çdo qytetar do të mund të shohë konsumin e tij ditor dhe mujor të energjisë elektrike nëpërmjet një aplikacioni të dedikuar në celular, duke aksesuar në kohë reale.
Nga ana tjetër, matësit inteligjentë do të bëjnë të mundur kontrollin direkt nga OSHEE, për të menaxhuar dhe kuptuar ngarkesën në rrjet.
“Pa diskutim që na ulin kostot operacionale, ulin kontaktet që bizneset kanë me punonjësit tanë në mënyrë që të shmanget çdo mundësi për abuzim. Ne kemi në çdo minutë, në çdo orë, në çdo kohë të gjithë situatën në kontroll, bashkë me rrjetin e tensionit të ulët dhe atij të mesëm për të parandaluar qoftë mbingarkesat, qoftë defektet që mund të paraqiten aty apo qoftë edhe abuzimet që mund të ndodhin në sistemin matës” bëri të ditur drejtori i OSHEE për rajonin e Tiranës, Klevis Jahaj.
Në 2015, matësit inteligjentë krijuan një sërë diskutimesh mbi transparencën financiare, lidhur me kostot dhe financimin që kërkonte ky projekt. Asokohe, matësit ‘smart’ do të ishin një bashkëpunim me Deutsche Telekom, si dhe do të kishin një proces gradual implementimi, që do të përfshinte edhe kioska informimi për klientët, kartë me parapagesë të energjisë, etj. Ky projekt pritet në mos t’ju japë fund abuzimeve me energjinë elektrike, të ulë dozën e tyre.
Jenida Vladi/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.