Nis lufta tregtare – Kina fajëson SHBA, do të reagojë për të mbrojtur interesat e vendit
Ministria e Tregtisë në Kinë deklaroi këtë të Premte se duhet të marrë masa kundër rritjes së tarifave nga SHBA ndaj mallrave kinezë, për të mbrojtur interesat e vendit.
“Duke vendosur 25% tarifa në 34 miliardë dollarë produkte kineze nga data 6 Korrik, Shtetet e Bashkuara kanë thyer rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë dhe kanë nisur luftën më të madhe tregtare në histori. Kjo po rrezikon sigurinë e zinxhirit industrial global dhe zinxhirin e vlerës, duke zbehur perspektivën ekonomike, shkaktuar trazira në tregje dhe ndikuar kompani ndërkombëtare dhe konsumatorët e zakonshëm”, deklaroi Ministria duke shtuar se do të dëmtojnë gjithashtu interesat e bizneseve dhe popullit amerikan.
Sipas zyrtarëve në Pekin, Kina është përmbajtur nga reagimi, por, në mënyrë që të mbrojë interesat e vendit është detyruar që të kundërpërgjigjet. Vendosja e tarifave nga Kina për disa produkte të importit nga SHBA do të bëhet efektive direkt pasi të hyjë në fuqi vendimi i Shteteve të Bashkuara.
Në kundërpërgjigje të Shteteve të Bashkuara, Komisioni i Tarifave Doganore vendosi të shtojë penalitetet në 545 produkte me vlerë 34 miliardë dollarë, përfshirë produkte të bujqësisë dhe makina.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.