Nis shërbimi e-kioskë – Veliaj: Mbi 60% e shërbimeve, pa pritur në radhë dhe pa pagesë
47 nga 70 shërbimet që ofron Bashkia e Tiranës tashmë mund të merren online, duke evituar qëndrimet në radhë, si dhe duke u aksesuar 24 orë në 7 ditë të javës. Njësoj si një bankomat, njësitë administrative të Tiranës ofrojnë shërbimin e-kiosk, i cili të jep mundësinë që në pak minuta të tërheqësh një certifikatë, leje apo aplikosh për një kërkesë në bashkinë e kryeyqtetit. Kryebashkiaku Erion Veliaj ishte në Njësinë Administrative 5 të Tiranës, për të përuruar shërbimin e ri të e-kioskave, që do të funksionojë pranë të gjitha njësive administrative.
“9 ditë ia kushtojmë radhës për të marrë një dokument, që fare mirë mund të printohet nga shtëpia, në faqen e internetit e-kioksa.al, ose mund të printohet në kioskat e shërbimit të kompjuterizuara, pranë njësive tona të qeverisjes vendore. Në pak minuta, pa pagesë, shumicën e këtyre aplikimeve, si aplikimi për hapësirë publike, për licencë taksie, për akses në rrugë, për aktivitete politike, protesta, mitingje, koncerte, pra më shumë se 60% e shërbimeve që ofrohen në sportelin e bashkisë, fare mirë mund të aksesohen përmes e-kioskës”.
Ky shërbim funksionon duke u identifikuar përmes skanimit të letërnjoftimit nga pajisja përkatëse. Më pas qytetari zgjedh shërbimin e dëshiruar dhe e-kioska printon dokumentin. Në funksion të informimit të qytetarëve mbi informacionet/shërbimet që ofron sistemi e-kiosk është krijuar gjithashtu faqja ëeb, e cila mund të aksesohet përmes adresës:https://ekioska.al/. Sistemi e-Kiosk është ndërtuar në mënyrë të atillë që në të ardhmen të ketë mundësi të zgjerimit të shërbimeve.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.