Nis “sherri” mes BE dhe Italisë – Kërkon shpjegim për financat. Salvini: BQE të garantojë borxhin
Komisioni Europian i ka dërguar letër Qeverisë italiane, ku i ka kërkuar që të shpjegojë përkeqësimin e financave publike, diçka që hap mundësinë e përplasjes ligjore me koalicionin populist të Romës. Letra, e nënshkruar nga komisionerët ekonomikë, Valdis Dombrovskis dhe Pierre Boscovici, u dërgua një ditë pasi zv/Kryeministri Matteo Salvini i quajti të vjetëruara rregullat fiskale të Bashkimit Europian dhe i bëri thirrje Bankës Qendrore Europiane që të garantojë borxhin e shteteve të Eurozonës.
Duke aplikuar rregullat që Salvini kërkon të ndryshojë, Komisioni Europian i kërkoi Italisë që të shpjegojë se pse borxhi u rrit vitin e kaluar në vend që të reduktohej, si ç’kishin rënë dakord. Kjo lëvizje procedurale është vonuar pas zgjedhjeve të Bashkimit Europian, ku partia e Salvinit doli fituese, pavarësisht se fuqitë populiste qëndruan një minoritet në parlamentin e ri Europian. Nëse Roma nuk ofron deri të Premten shpjegime të mjaftueshme për rritjen e borxhit apo të pranojë që duhet të limitojë planin e shpenzimeve këtë vit, Komisioni me shumë mundësi do të nisë procedurat e disiplinës javën e ardhshme.
Në nisje të javës, Kryeministri Giuseppe Conte mbështeti thirrjen e Salvinit për një rol të ri të Bankës Qendrore Europiane, që të garantojë borxhet e mëdha publike, diçka që është parë si “mallkim” nga Gjermania dhe vende të tjera të Eurozonës. Salvini ka këmbëngulur se Italia duhet të vazhdojë reduktimet tatimore për të nxitur ekonominë, se sa t’i bindet rregullave fiskale që limitojnë aktivitetin.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.