Nis shkarkimi i Presidentit – Balla paraqet kërkesën në Komisionin e Ligjeve: Cënoi rëndë Kushtetutën
Komisioni Parlamentar i Ligjeve ka nisur Procedurën e shkarkimit të Presidentit të Republikës, duke pranuar kërkesën e nënshkruar nga 55 deputetë, duke caktuar kalendarin e shqyrtimit të saj, ashtu si dhe dy relatorë që do shqyrtojnë procesin.
Kreu i Grupit Socialist Taulant Balla ka parashtruar për rreth një orë përpara Komisionit Parlamentar të Ligjeve argumentet për të cilët 55 deputetë kanë kërkuar shkarkimin e Presidentit të Republikës. Sipas Ballës, akti i Presidentit për anulimin e zgjedhjeve cenon rëndë kushtetutën, të drejtën e qytetarëve për të votuar Brenda afateve të përcaktuara nga ligji, ashtu si dhe legjislacionin mbi funksionimin e institucioneve publike në vend.
Kreu i Komisionit Parlamentar të Ligjeve bëri me dije se Më 24 qershor pritet vazhdimi i procedurës së shqyrtimit në një seancë diskutimi. Ndërsa me 26 qershor do të jetë dhe përmbyllja e procedurës së shqyrtimit dhe votimi i propozimit, çka do të pasojë me përgatitjen dhe përcjelljen e raportit seancës plenare. Manja tha se nëse dëshiron Presidenti mund të japë shpjegimet e tij gjatë punimeve të Komisionit të hënën e ardhshme.
Ndërsa Kuvendi ka nisur procedurat për shkarkimin e Metes, fjala e fundit mbi fatin e Presidentit mund të thuhet vetëm nga Gjykata Kushtetuese.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.