Nis viti i ri shkollor në Itali. Rikthehen 5.6 milionë studentë nën rregulla strikte të distancimit
Italia ka rihapur më në fund shkollat në nisje të Javës, pas 6 muajve të mbyllura, duke vendosur në provë aftësitë organizuese të qeverisë, ndjenjat e mësuesve dhe vetëkontrollin e studentëve. Shkollat në 13 nga 20 rajone të vendit kanë nisur klasat fizike, duke rikthyer 5.6 milionë studentë në banka. Pjesa e mbetur e 7 rajoneve kanë vendosur ta vonojnë nisjen e shkollës me 1 javë. Thuajse 1,200 nxënës u përballen me një situatë jo të zakontë kur hynë në shkollën “Simonetta Salacone” në Romë, për të parën herë që prej shfaqjes së Covid-19. Në korridore nuk lejoheshin përqafime apo shtrëngimi i duarve dhe kishte kontrolle të temperaturës në hyrje, banka të veçuara për 1 person, dezinfektant dhe maska mbrojtëse.
Rregullat e reja strikte të vendosura nga autoritetet për të ndaluar përhapjen e infeksionit, përbëjnë një sfidë për fëmijët dhe prindërit, që u rikthyen në shkolla të shqetësuar. “I shpjegova atyre që të shmangin kontaktet dhe përqafimet, por gjithashtu nuk dua që ata të jetojnë në terror”,- tha Claudia Costantini, nëna e dy fëmijëve në shkollë fillore. Rregullat e reja strikte tek shkolla “Simonetta Salacone” përfshijnë turne dhe rrotacione tek hyrjet dhe daljet, dhoma të veçanta për fëmijët me Covid dhe staf të veçantë për to. Edhe mësuesit ishin të emocionuar për të takuar nxënësit pas më shumë se 6 muajsh, “Jemi të gëzuar që shihemi përsëri, por po përpiqemi të mos kemi kontakt”,- tha Patrizia Zuchetta, mësuese në shkolla fillore për 34 vite.
Shkollat kanë bërë të ditur se fëmijët me simtpomat më të vogla të gripit, duhet të qëndrojnë në shtëpi. Nxënësit në moshën 6 vjeç e sipër duhet të vendosin maska dhe duhet të shmangin kontakt fizik. Në përpjekje për të ndaluar përhapjen e koronavirusit, qeveria mbyllu shkollat në nisje të muajit Mars. Përpjekjet për të limituar infeksionin kanë qenë shkas për debat. Shumë prej 2.4 milionë bankave për 1 person, nuk kanë mbërritur në kohë, sipas sindikatave, ndërkohë që mijëra pozicione mësuesish të qëndrojnë vakante. Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik bën të ditur se mësuesit e 59% të shkollave fillore dhe të mesme në Itali janë mbi 50 vjeç, që është më e larta në botën perëndimore, duke e bërë sistemin e edukimit të cënuar ndaj infeksionit.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.