Nishani takim me homologun gjerman – “Gjermania ka ambicien të jetë partner tregtar në Shqipëri”
Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani gjatë pjesëmarrjes në Takimin e 22-të Ndërkombëtar të Berlinit u prit nga Presidenti Federal i Gjermanisë Sh.T.Z. Frank-Walter Steinmeier, ku bisedoi mbi forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh, si dhe çështjet e procesit të integrimit evropian dhe të zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Kreu i Shtetit, duke iu referuar procesit të integrimit evropian në përgjithësi, si dhe reformave të thella të ndërmarra brenda vendit, theksoi se procesi i integrimit evropian mbetet mekanizmi më i mirë nxitës për vendin dhe për shqiptarët ky është projekti më madhor, pas anëtarësimit në NATO.
Presidenti Nishani e njohu homologun e tij gjerman mbi vëmendjen e veçantë që i kushtohet këtij procesi dhe kryerjes së reformave përkatëse, ku u ndal veçanërisht te reforma në drejtësi dhe fillimi i procesit të zbatimit të saj, duke vlerësuar dhe kontributin individual të Gjermanisë dhe ekspertëve të saj në hartimin e legjislacionit përkatës, konform standardeve më të mira gjermane e evropiane.
Nga ana tjetër Presidenti gjerman Steinmeier e përshëndeti marrëveshjen politike për reformën në drejtësi si dhe shprehu besimin se kjo reformë do të përmbushet me sukses dhe në kohën e duhur.
“Është shumë e rëndësishme për investitorët gjermanë që të gjejnë një ambient të përshtatshëm investimesh, pasi përtej asistencës, Gjermania ka ambicien të jetë partner tregtar dhe investues në Shqipëri e vende të tjera të rajonit.” – u shpreh Presidenti gjerman.
Presidenti Steinmeier e përgëzoi Presidentin Nishani për rolin dhe influencën pozitive të Shqipërisë në rajon, si dhe e siguroi se Gjermania është shumë e interesuar dhe po investon seriozisht për stabilitetin dhe paqen në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe do të mbetet gjithmonë e angazhuar dhe kontribuese në këtë drejtim.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.