Nisin aplikimet në kopshtet publike – Dokumentet që duhet dorëzuar dhe afatet
Të gjitha kopshtet publike të kryeqytetit kanë hapur dyert për të pritur regjistrimin e fëmijëve për sezonin 2021-2022. Drejtoria e Përgjithshme e Kopshteve dhe e Çerdheve bën me dije se në datat 01 – 15 Shtator 2021, nga ora 09:00 – 14:00, do të kryhet procedura e aplikimit për regjistrim në kopshtet publike të Bashkisë Tiranë.
Aplikimi do të kryhet pranë kopshtit ku synohet të regjistrohet fëmija. Prindërit duhet të dorëzojnë pranë kopshtit përkatës, certifikatën personale dhe familjare të fëmijës, vërtetim pune, vërtetim të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore si dhe vërtetim të vaksinimit të fëmijës. Ndërsa për 9 kategoritë e tjera, si fëmijë me statusin e jetimit, me aftësi të kufizuara, apo sëmundje të tjera, fëmijë që trajtohen me ndihmë ekonomike apo që kanë prindër të divorcuar, si dhe fëmijë të pakicës rome dhe egjiptiane, kërkohen dokumente më specifike për secilën prej tyre.
Pas datës 15 shtator, Drejtoria e Përgjithshme e Kopshteve dhe e Çerdheve bën verifikimin përkatës të çdo aplikimi dhe më pas në bazë të përmbushjes së kritereve, njofton prindërit për nisjen e sezonit.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.