Nisin shpronësimet e pronarëve që preken nga rrëshqitjet në segmentin rrugor “Milot–Morinë” – Rreth 94 milion lekë për përfituesit
Nëpërmjet një botimi të publikuar në Fletoren Zyrtare është bërë me dije se Këshilli i Ministrave me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë ka vendosur shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga problematikat e shkaktuara nga rrëshqitjet në segmentin rrugor “Milot–Morinë”. Shpronësimi bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH).
Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë sipas masës përkatëse, me një vlerë të përgjithshme prej 93 991 538 (nëntëdhjetë e tre milionë e nëntëqind e nëntëdhjetë e një mijë e pesëqind e tridhjetë e tetë) lekësh. Kjo shumë do të përballohet nga buxheti i miratuar për Autoritetin Rrugor Shqiptar.
Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Shpronësimi i pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në Fletoren Zyrtare dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Mirditë, si dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Lezhë për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.