Nisin shpronësimet për pronarët e pronave të prekura nga projekti “Unaza lindore e Kavajës” / Rreth 15 milion lekë për përfituesit
Agjencia Shtetërore për Shpronësimin nëpërmjet një njoftimi në Fletoren Zyrtare ka shpallur kërkesën për shpronësim për interes publik të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, të cilat preken nga realizimi projektit “Unaza lindore e Kavajës”, me vlerë totale paraprake të shpronësimit 15,134,372.20 (pesëmbëdhjetë milionë e njëqind e tridhjetë e katër mijë e treqind e shtatëdhjetë e dy pikë njëzetë) lekë.
Subjekti kërkues i këtij projekti është Bashkia Kavajë. Personat e prekur nga ky shpronësim për interes publik për pasuritë e paluajtshme, pronë private, do të kompensohen sipas vlerësimit paraprak të llogaritur:
- Për pasuritë e llojit “truall” është bërë bazuar në vendimin nr. 89, datë 3.2.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e hartës së vlerës së tokës në Republikën e Shqipërisë”.
2.Për pasuritë e llojit “ndërtesë”, është bërë sipas VKM-së nr. 138, datë 23.3.2000, “Për kriteret teknike të vlerësimit dhe të përllogaritjes së masës së shpërblimit të pasurive që shpronësohen, të pasurive që zhvlerësohen dhe të të drejtave të personave të tretë, për interes publik”, të ndryshuar.
Personat që preken nga ky projekt, të cilët kanë emrin në tabelën e publikuar dhe personat të cilët preken por nuk figurojnë në këto lista, jo më vonë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë nga publikimi në Fletoren Zyrtare, kanë të drejtë të paraqesin pretendimet e tyre, të shoqëruara me dokumentacionin përkatës, si edhe të shprehen nëse janë dakord me të dhënat e publikuara për përfundimin e procedurave të shpronësimit në Bashkinë Kavajë, si dhe në Agjencinë Shtetërore për Shpronësimin.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.