Nisin zgjedhjet Europiane – Ekspertët paralajmërojnë për partitë e djathta ekstreme
Partitë e djathta ekstreme po shtojnë pasiguritë ndaj të ardhmes së Bashkimit Europian, ndërkohë që pritet të fitojnë vende në zgjedhjet e Parlamentit Europian. Europianët nga 28 vendet anëtare të Bashkimit Europian kanë nisur të votojnë 751 anëtarët e parlamentit ditën e sotme, në zgjedhjet që do të zgjasin deri më 26 Maj.
Nga 8 grupet politike të Parlamentit Europian, Partia Popullore Europiane e qendrës së djathtë dhe Partia e Socialistëve Europianë e qendrës së majtë, kanë mbizotëruar në Bashkimin Europian në 40 vitet e fundit. Megjithatë, ekspertët shprehen se këtë vit, situata mund të jetë ndryshe. Kandidati belg për në Parlamentin Europian, Johan Van Overtveldt, paralajmëroi për fuqizimin e partisë populiste.
“Kemi parë në sondazhe që partitë e djathta ekstreme po fitojnë më shumë vende, më shumë vota, dhe kjo nuk është diçka e mirë as për Europën dhe as për qytetarët. Njerëzit po sillen në mënyrë të irrituar dhe një nga shenjat e kësaj është vota për populistët,” u shpreh Van Overtveldt.
Ekspertët janë shprehur se nëse partitë e djathta ekstreme bëhen partia e tretë në Parlamentin Europian, kjo do të pengonte aftësinë e parlamentit për të marrë vendime.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.