Niveli i çmimeve në Eurozonë – Konfirmohet në 1.5% për Marsin, largohet nga objektivi
Inflacioni në Eurozonë rezultoi në 1.5% për muajin Mars me bazë vjetore, në rënie nga 2% që ishte në Shkurt, tregojnë të dhënat e Eurostat që konfirmojnë shifrat paraprake. Në muajin Mars 2016, niveli i çmimeve qëndronte në 0%.
Për Bashkimin Europian, indeksi i çmimeve të konsumit u rrit me vetëm 1.6%, nga 2% që ishte në muajin Shkurt.
Norma më e ulët u regjistrua në Rumani me 0.4%, ndjekur nga Irlanda dhe Hollanda, të dyja në 0.6%. Nivelet më të larta ishin në Letoni dhe Lituani me 3.3% dhe 3.2% në mënyrë respektive.
Krahasuar me muajin Shkurt 2017, inflacioni ra në 7 vende anëtare, përfshirë Gjermaninë, dhe u rrit në 5 të tjera. Islanda ishte i vetmi vend që regjistroi një normë negative në -1.4%.
Në rritje të nivelit të çmimeve kontribuan kryesisht karburantet, me 0.48%, megjithatë, jo në nivelin e muajit Shkurt.
Inflacioni bazë që heq produktet me luhatshmëri të lartë si energjia dhe ushqimet e papërpunuara, u konfirmua gjithashtu në 0.7%, në rënie nga muaji paraardhës.
Të dhënat nuk vijnë surprizë për Bankën Qendrore Europiane, që ka përsëritur skepticizmin mbi ecurinë e nivelit të çmimeve dhe pavarësisht arritjes së objektivit në Shkurt, vendosi të mos ndryshojë programin e lehtësimit monetar.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.