Niveli i çmimeve në Eurozonë – Konfirmohet ngadalësimi për Qershorin, rritet inflacioni bazë
Niveli i çmimeve në Eurozonë është ngadalësuar në muajin Qershor, megjithatë, inflacioni bazë, që përjashton komponentët e luhatur të ushqimit dhe energjisë, ka patur rritje, raporton zyra e Statistikave e Bashkimit Europian.
Eurostat deklaroi se, çmimet e konsumit në 19 vendet e Eurozonës janë rritur me 1.3% në Qershor me bazë vjetore, nga 1.4% në muajin e kaluar dhe 1.9% që ishin në Prill.
Megjithatë, inflacioni bazë, treguesi i preferuar i Bankës Qendrore Europiane, u rrit në 1.2%, nga 1% që ishte në Maj.
Rënia e inflacionit në muajin Qershor erdhi për shkak të ngadalësimit të çmimeve të energjisë, që u rritën me 1.9%, krahasuar me 4.5% rritje që regjistruan në Maj.
Çmimet e ushqimeve, alkoolit dhe duhanit u ngadalësuan gjithashtu, duke u rritur me vetëm 1.4%.
Një rritje e çmimeve u regjistrua në shërbime, që është sektori më i madh i ekonomisë së Eurozonës, duke prekur 1.6% në Qershor, krahasuar me 1.3% rritje në Maj.
Normat më të ulëta të inflacionit u regjistruan në Irlandë, në -0.6%, ndjekur nga Danimarka dhe Rumania, me 0.4% dhe 0.7% rritje respektivisht. Norma më e lartë rezultoi në Lituani, me 3.5%, ndjekur nga Estonia dhe Letonia me 3.1% secila.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.