Një banor përfiton 5759 lekë – Fondet e qeverisë për 61 bashkitë në vend
Transferta e pakushtëzuar për vitin 2019 që do të ndahet tek 61 bashkitë me formulën e re do të jetë rreth 19.4 miliardë lekë, ndërsa financimi në total duke përfshirë dhe transfertën sektoriale arrin në 24.9 mld lekë. Por si do të ndahet transferta e pakushtëzuar dhe sa para “përfiton” çdo qytetar i vendit? Referuar dokumentit të projektbuxhetit vendor 2019, qeveria parashikon që fondi të ndahet sipas formulës së re, duke tentuar të identifikohen nevojat reale të shpenzimeve të njësive të ndryshme të vetëqeverisjes vendore mbi bazën e popullsisë, dendësisë së popullsisë dhe numrit të fëmijëve në kopshte, shkollat 9 vjeçare dhe gjimnazet publike.
Kështu, sipas formulës 64 për qind e transfertës për bashkitë apo 12.4 miliardë lekë alokohet mbi bazën e popullsisë relative, e llogaritur në 3.3 milionë banorë. Kjo shifër llogaritet në bazë të të dhënave të Censusit duke i shtuar 30 për qind të diferencës midis të dhënave të gjendjes civile dhe atij të censusit. Dhe sipas kësaj shifre, çdo njësi përfiton një transfertë prej 3759 lekë për banor. Ndërsa 12 për qind e totalit të fondeve për bashkitë apo 2.3 miliardë lekë ndahen sipas dendësisë së popullsisë me mesataren 116 banorë/km2, ku çdo banori i takon 2 mijë lekë.
Pra në total çdo banor përfiton 5759 lekë nga fondet e qeverisë, të cilat jepen në formën e shërbimeve, investimeve etj. Pjesa e mbetur, prej 24 për qind apo 4.7 miliardë lekë, shkon për pagat e personelit në arsim, sipas numrit të fëmijëve.
Transferta sipas nr. popullësisë
Fondi Numri i popullësisë
12.4 miliardë lekë 3.3 milionë banorë
Totali: 3759/ banorë
Transferta sipas dendësisë së popullësisë
Fondi Dendësia mestare
2.3 miliardë lekë 116 banorë/km2
Totali: 2.001 lekë/banorë
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.