Një buxhet për Eurozonën – Centeno: Do mbështesë reformat e investimet me grante dhe kredi
Kreu i ministrave të Financave të Eurozonës, Mario Centeno, tha se buxheti i Eurozonës duhet të mbështesë reformat strukturore dhe investimet në vendet anëtare, nëpërmjet granteve dhe kredive.
Ministrat e Financave nga 27 vendet anëtare që do të qëndrojnë në Bashkimin Europian pasi Britania të dalë, po përpiqen të thellojnë integrimin ekonomik në zonën e valutës së përbashkët. Buxheti i ardhshëm për 19 vendet në euro përbën idenë e tyre kryesore, që do të detajohet në 3 muajt e ardhshëm, deri sa të prezantohet në Qershor. “Ky mjet duhet të mbështesë reformat strukturore dhe investimet publike” -tha Centeno.
Manaxhimi i këtij buxheti do të diskutohet në muajin Prill dhe përmasa dhe të ardhurat, në muajt në vazhdim. Nuk është përcaktuar ende nëse do të jetë pjesë e buxhetit më të gjerë të Bashkimit Europian, apo i ndarë. “Ekziston mundësia që vendet anëtare të bashkëfinancojnë një pjesë të paketës së reformave dhe investimeve në nivel kombëtar”, tha Centeno.
Komisioni Europian dhe Banka Qendrore Europiane, kanë bërë të ditur se për të përfunduar unionin monetar dhe ekonomik, është e nevojshme që të ketë një kapacitet financimi të përbashkët, që të ruajë rol stabilizues në rast të goditjeve ekonomike. Komisioni, që do të duhet të përgatisë versionin përfundimtar të buxhetit të Eurozonës përpara se të kthehet në ligj, ka propozuar deri më tani vetëm një shifër prej 55 miliardë euro.
Nga kjo, 25 miliardë euro do të vijë nga buxheti i BE dhe do të përdoret për reformat dhe konvergjencën mes ekonomive, ndërsa 30 miliardë, do të jenë kredi, të garantuara nga buxheti europian, për të mbështetur investimet në vendet me kriza të përkohshme.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.