Një pakicë senatorësh republikanë do të bashkohen në një përpjekje për të ndaluar certifikimin e Biden si president
Senatori Ted Cruz të Shtunën tha se ai do të drejtojë një lëvizje së bashku me dhjetë senatorë republikanë për të sfiduar fitoren e Presidentit të zgjedhur Joe Biden kur rezultatet e Kolegjit Zgjedhor të mblidhen në Kongres më 6 Janar – një veprim kryesisht simbolik që praktikisht nuk ka asnjë shans për të parandaluar Biden nga marrja e detyrës.
Përpjekja e Cruz është në kundërshtim me udhëheqësit republikanë të Senatit, të cilët kanë argumentuar se roli i Senatit në vërtetimin e zgjedhjeve është kryesisht ceremonial dhe kishte kërkuar të shmangte një debat të zgjatur.
Në një deklaratë, Cruz, senatori amerikan nga Teksasi dhe 10 senatorët e tjerë thanë se ata synojnë të votojnë për të refuzuar zgjedhësit nga shtetet që kanë qenë në qendër të akuzave të paprovuara të Presidentit Donald Trump për mashtrim zgjedhor. Ata thanë që Kongresi duhet të caktojë menjëherë një auditim për të kryer një kontroll emergjent 10-ditor të rezultateve të zgjedhjeve në ato shtete.
Nuk është ende e qartë se cilat shtete do t’i nënshtroheshin auditimit të propozuar, tha zyra e Cruz.
Demokratët dhe disa republikanë të moderuar e kritikuan masën nga senatorët si jodemokratike. Një zëdhënës i fushatës së Biden, Michael Gwin, e hodhi poshtë lëvizjen si lëvizje teatrale që nuk mbështetet nga asnjë provë.
“Ky marifet nuk do të ndryshojë faktin që Presidenti i zgjedhur Biden do të betohet në 20 Janar, dhe këto pretendime të pabazuara janë shqyrtuar dhe hedhur poshtë nga vetë Prokurori i Përgjithshëm i Trump, dhjetëra gjykata dhe zyrtarë të zgjedhjeve nga të dy partitë, “tha ai.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.