Një ringjallje e mirëpritur e një miqësie të vjetër
Nga Ravik Mima
Kina dhe Shqipëria kanë qenë partnerë dikur dhe sot Iniciativa “Një Brez Një Rrugë” po i bën ato sërish bashkë.
E kam ende të gjallë kujtimin e udhëtimit tim të parë në Kinë në qershor të vitit 2016, për Takimin e Dytë Ministerial Kinë-CEEC mbi Promovimin e Tregtisë dhe Bashkëpunimit Ekonomik, organizuar nga Ministria e Tregtisë e Kinës, nën Udhëzimet Suzhu për Bashkëpunim ndërmjet Kinës dhe Vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore.
Temat varionin nga eksplorimi i produkteve me karakteristika të veçanta deri te zgjerimi i bashkëpunimit në kapacitete prodhuese dhe manifaktura e pajisjeve, e deri te mjetet financiare
inovative që mundësojnë zhvillimin e infrastrukturës bashkëpunuese. Në fund, vendet nënshkruan Deklaratën e Takimit të Dytë Ministerial Kinë-CEEC mbi Promovimin e Tregtisë dhe Bashkëpunimit Ekonomik.
Marrëveshjet bilaterale që janë në fuqi ndërmjet Shqipërisë dhe Kinës mbulojnë shumë mirë të gjitha aspektet potenciale të bashkëpunimit – përfshirë bashkëpunimin ekonomik, industrial dhe
teknik, promovimin dhe mbrojtjen e ndërsjellë të investimeve, institucionet e ndërlidhura me standardizimin, pronën intelektuale, edukimin dhe kulturën.
Unë kisha pritshmërinë që takimi ynë me ministrin kinez të tregtisë Gao Hucheng do të ishte një takim i shkurtër i zakonshëm. Në vend të kësaj, ai shfrytëzoi kohën për të theksuar marrëdhënien
mjaft speciale që Shqipëria ka patur me Kinën dhe tha se ai mezi priste që ajo të bëhej po aq speciale sa ç’ka qenë. Ai nënvizoi se ky ishte një moment veçanërisht historik, në të cilin të dyja vendet qëndronin sërish mjaft afër njëri tjetrit.
Sidomos gjatë viteve 1960 dhe 1970, Shqipëria konsiderohej se ishte “fanari ndriçues dhe i miqësisë” i Kinës në Evropë. Kjo marrëdhënie e veçantë ishte ekskluzive deri në pikën që një shkëmbim kulturor intensiv, i fokusuar mbi muzikën dhe kinematografinë, vijoi për vite me radhë. Filmat shqiptarë ishin kaq popullorë në Kinë saqë edhe sot e kësaj dite është mjaft e zakonshme të gjesh
njerëz të rëndomtë kinezë që sjellin në kujtesë frazat dhe skenat e sakta nga filmat shqiptarë të asaj epoke.
Cilat janë implikimet potenciale të një vëmendjeje të tillë të nivelit të lartë ndaj Shqipërisë?
Dy vitet e fundit kanë qenë mjaft intensive në termat e vizitave të nivelit të lartë ndërmjet dy vendeve, duke e bërë këtë një vit “të korrash”, sikundër do ta përshkruanin kinezët atë. Ishte veçanërisht kështu mbas takimit në Tiranë ndërmjet kryeministrit tonë Edi Rama dhe Zëvendës Kryeministrit kinez Zhang Gaoli, kur shumë marrëveshje u negociuan dhe u nënshkruan ndërmjet dy vendeve.
Pas përmbylljes së suksesshme të blerjes së Aeroportit Ndërkombëtar Nënë Tereza dhe kompanisë Bankers Petroleum nga investitorë kinezë, Kina është bërë njëri nga investitorët kryesorë në Shqipëri.
Sigurisht, pasja e normës më të lartë të rritjes së PPB-së në rajon e bën më të lehtë për Shqipërinë që të shkëlqejë sërish si fanari ndriçues që ka qenë dekada më parë, sa i përket marrëdhënieve me
Kinën. Kësaj here bëhet fjalë për bashkëpunim ekonomik potencial të prekshëm në vend të ideologjisë së kulluar. Ndërmjet Janarit dhe Majit të këtij viti, eksportet shqiptare drejt Kinës janë rritur me një shifër të jashtëzakonshme prej 135 përqind, ndërkohë që importet kanë qenë të qëndrueshme.
Krahas kësaj, Shqipëria konsiderohet sot destinacioni i fundit i paeksploruar turistik në Europë. Për rrjedhojë, kompanitë kineze – si edhe një pjesë e 700 milionë turistëve kinezë që pritet të udhëtojnë jashtë vendit të tyre në pesë vitet e ardhshme – kanë treguar interes të madh për Shqipërinë si një destinacion unik, ose si pjesë e një pakete që do të përfshinte Greqinë dhe Malin e Zi.
Megjithatë, unë besoj se ka diçka më të madhe në tryezë: Iniciativa Një Brez Një Rrugë. Kina ka vendosur një ftesë në tryezë – një ftesë ndaj vendeve në një stad të ngjashëm të zhvillimit ekonomik, kryesisht tregje në zhvillim – për ta çuar më tutje lojën e rritjes dhe prosperitetit ekonomik. Kjo është ndoshta platforma më e gjerë dhe më ambicioze në botë për bashkëpunim rajonal.
Këto lidhje infrastrukturore do t’u mundësojnë Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Evropës Juglindore që të shfrytëzojnë më mirë avantazhet e tyre krahasuese për zhvillim. Për shembull, Shqipëria mund të ketë potencial të madh për manifaktura me intensitet pune.
Kina dëshiron që të përmirësojë pozicionin e saj në ekonominë botërore nëpërmjet propozimeve të tilla win-win, apo ku fitojnë të gjithë. Ajo po investon në infrastrukturën e vendeve me tregje në
zhvillim, që më vonë mund të bëhen tregjet e saj kryesore fundore. Itineraret e tregtisë të bëra të mundura nga infrastruktura dhe Rruga Detare e Mëndafshit e shekullit të 21 do të rikrijojë itinerare të transportit detar që e bënë Kinën një prej fuqive më pararojë të botës shumë vite më parë.
Suksesi fundor i kësaj iniciative varet nga kuptimi dhe përfshirja proaktive e vendeve të shumta përgjatë gjithë Evropës dhe Azisë të lidhura tok nga Një Brez Një Rrugë.
Autori është student doktoral në Shkollën Kombëtare të Zhvillimin në Universitetin e Pekinit dhe një ish këshilltar i ministrit për zhvillimin ekonomik, turizmin, tregtinë dhe sipërmarrjen në Shqipëri.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.