Një shans i dytë për Google Glass – Produkti fokusohet tek rritja e eficiencës për kompanitë
Google Glass, syzet e gjigandit të internetit, të cilat supozohej të bëheshin kompjuteri i ardhshëm për të gjithë, duket se nuk kanë vdekur ende. Përkundrazi, ato tani kanë një punë, shumë punë.
Versioni i dytë i syzeve është testuar dhe përdorur nga shumë fabrika në Shtetet e Bashkuara, si Boeing, GE dhe DHL. Ato janë riemërtuar Google Glass versioni i Sipërmarrjeve, dhe janë patentuar në vitin 2015 për përdorimin në vendin e punës.
Ndryshimi më i madh në krahasim me syzet origjinale në këtë version ka të bëjë me kamerën (rezolucioni është rritur nga 5 në 8 megapixel), jeta e zgjatur e baterisë, Wi-Fi dhe procesor më i shpejtë, si edhe një dritë e kuqe që ndizet kur regjistron video.
Pjesët elektronike të saj janë konceptuar në mënyrë modulare dhe mund t’i hiqen apo bashkangjiten skeletëve të përshtatshëm me Glass, si syze mbrojtëse apo syze optike.
Prodhimi i Glass EE është ende në sasi të vogla. Raportohet se kompania mund të ketë patur vetëm disa qindra porosi dhe shumica janë kërkuar me afat prove.
Megjithatë menaxherët e produktit pranë kompanisë mëmë Alphabet shprehen shumë optimistë për këtë version të pajisjes.
“Ky nuk është një eksperiment. Ishte një eksperiment para tre vitesh. Tashmë jemi në fazë reale prodhimi për klientët dhe partnerët tanë”, thotë Jay Kothari, lideri i projektit.
Të dhënat flasin në favor të versionit të ri të Glass, pasi punëtorët dhe kompanitë janë shprehur të kënaqur me produktin. Këto syze ofrojnë informacionin shtesë të domosdoshëm dhe njëkohësisht përmirësojnë produktivitetin.
- 25% reduktim të kohës së nevojitur për prodhim në volume të vogla, sipas AGCO
- 15% më tepër eficiencë operacionale, sipas DHL
- 34% më tepër eficiencë në procesin e lidhjes së kabllove, sipas Upskill
- 2 orë të kursyera nga doktorët në ditë, sipas Augmedix
Duke nisur nga 18 Korriku, Google hoqi marrëveshjen e heshtjes mbi produktin për kompanitë që e testuan dhe po i inkurajon më shumë biznese të marrin pjesë.
Duket se dështimi i syzeve me realitet të zmadhuar si një produkt për tregun e gjerë, mund të ketë nxitur suksesin e një pajisjeje ndihmëse në vendin e punës.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.