Një tjetër qytet kinez ia kalon Nju Jorkut për numrin e miliarderëve! Por pse nuk ka asnjë në top listën globale?
Shenzhen, një qytet prej 17.5 milionë banorësh në kufirin jugor të Kinës me Hong Kongun, ish-fshati i peshkimit, tani një qendër teknologjike e njohur si Sillicon Valley e Kinës, i është bashkuar Pekinit dhe Shangait si tre qytetet më të mira në botë për miliarderët, duke nxjerr nga top lista Nju Jorkun për herë të parë këtë vit.
Sipas Hurun Global Rich List, një renditje vjetore e përpiluar nga një kompani private me bazë në Shangai, Pekini është shtëpia e numrit më të madh të miliarderëve në botë me 144, i ndjekur nga Shangai me 121. Ka 113 miliarderë në Shenzhen, krahasuar me 110 në Nju Jorku, ndërsa Londra doli në vendin e pestë me 101. Përqendrimi në rritje i pasurisë nuk është lajm për njerëzit në Shenzhen, i cili shtoi tetë miliarderë që nga viti i kaluar.
Ndërsa renditjet mund të luhaten, numri në rritje i miliarderëve në Shenzhen pasqyroi një “megatrend” që do të tërheqë më shumë sipërmarrës të rinj në qytet në vitet e ardhshme. Rritja e Shenzhenit filloi në vitin 1980, kur u emërua zona e parë e veçantë ekonomike e Kinës si pjesë e “reformës dhe hapjes” së vendit nën udhëheqësin e atëhershëm Deng Xiaoping. Kjo i lejoi qytetit të eksperimentonte me kapitalizmin e tregut në një përpjekje për të tërhequr investime të huaja. Nga viti 1979 deri në vitin 2021, produkti i brendshëm bruto i Shenzhen u rrit nga më pak se 28 milionë dollarë në pothuajse 475 miliardë dollarë.
Sot, qyteti është shtëpia e disa prej kompanive më të mëdha të teknologjisë në Kinë, duke përfshirë gjigantin e telekomit Huawei dhe konglomeratin e internetit Tencent, duke frymëzuar të tjerët që të ndjekin. Vitin e kaluar, 2,500 kompani të reja të teknologjisë së lartë të njohura nga shteti u krijuan në Shenzhen, duke e çuar numrin total në 17,000, sipas qeverisë lokale. Është gjithashtu pjesë e asaj që Kina e quan Zona e Gjirit të Madh, një qendër e integruar ekonomike dhe biznesi që synon të lidhë Shenzhen me tetë qytete të tjera në provincën Guangdong së bashku me territoret kineze të Hong Kongut dhe Macau. Për më tepër, zyrtarët e qeverisë në Shenzhen “angazhojnë shumë burime financiare për të tërhequr talentet më të mirë nga pjesa tjetër e botës”. Shenzhen ofron politika të favorshme për kompanitë e teknologjisë së lartë, të tilla si ulje taksash.
Sipas Hurun Report, që nga 14 janari kishte 3,381 miliarderë në botë, një rritje neto prej 153 që nga viti i kaluar, dhe pasuria e tyre totale u rrit 4 % në 15.2 trilion dollarë. Prej tyre, 1,133 janë në Kinë dhe 716 në SHBA, Kina e kaloi SHBA-në për sa i përket numrit të miliarderëve në vitin 2016. Por miliarderët e Kinës gjithashtu janë “godituar rëndë” vitin e kaluar, thuhet në raport, mes një goditjeje rregullatore ndaj teknologjisë, arsimit dhe industrive të tjera dhe fushatës së qeverisë për “prosperitet të përbashkët” që promovon shpërndarje më të barabartë të pasurisë.
Kina humbi 160 miliarderë vitin e kaluar, më shumë se çdo vend tjetër. Colin Huang, themeluesi i platformës së tregtisë elektronike Pinduoduo, përjetoi humbjen më të madhe të pasurisë me 50 miliardë dollarë pasi aksionet e kompanisë së tij të listuar në Nasdaq ranë. Xu Jiayin, kryetar i zhvilluesit të pronave të luftuar Evergrande Group, humbi më shumë se 23 miliardë dollarë pasi kompania e tij vazhdon të humbasë afatet e pagesës së obligacioneve.
Nuk ka miliarderë kinezë në top 10-shen globale, e cila udhëhiqet nga shefi ekzekutiv i Tesla dhe SpaceX, Elon Musk, me një vlerë neto prej më shumë se 200 miliardë dollarë. Kjo është pjesërisht sepse miliarderët kinezë priren të drejtojnë biznese me një fokus vendas dhe jo global. Manjati indian i telekomunikacionit Mukesh Ambani ishte i vetmi aziatik në top 10 listën e dominuar ndryshe nga SHBA-ja dhe Franca. Por ai ka alternuar titullin e personit më të pasur të Azisë me manjatin indian të infrastrukturës Gautam Adani. Dy burrat, të cilët sipas Hurun Report kanë secili një vlerë neto prej rreth 100 miliardë dollarësh, ishin gjithashtu kokë e kokë në listën e miliarderëve në botë të Forbes që u publikua këtë javë, duke u renditur në vendin e 10 dhe 11. CNBC
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.