Njohja e patentave, DPSHTRR: Ja lejet e drejtimit që vlejnë edhe në Greqi
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor ka zbardhur marrëveshjen e nënshkruar mes Shqipërisë dhe Greqisë, mbi njohjen e ndërsjelltë të lejeve të drejtimit.
Sipas kësaj marrëveshjeje, shtetasit shqiptarë, që janë të pajisur me një patentë të modelit I, të lëshuar nga data 01.07.2005 ose modeli II, lëshuar nga data 24.01.2017, mund të drejtojnë mjete në territorin grek, brenda periudhës së vlefshmërisë së lejedrejtimit, për sa kohë nuk kanë vendosur rezidencën normale në shtetin grek.
Ndërkohë që, në momentin që shtetasit shqiptarë vendosin rezidencën normale në Greqi, ata mund të konvertojnë patentën shqiptare, në greke, duke paraqitur kërkesën e tyre pranë Drejtorive të Transportit dhe Komunikimit të Rajoneve të Njësive Rajonale në Shtetin Grek.
Kjo procedurë bëhet pas kryerjes së kontrolleve mjekësore që vërtetojnë se personi është i aftë fizikisht të drejtojë një mjet motorik ose një kombinim të mjeteve të kategorisë specifike, si dhe të sigurojë një përkthim zyrtar të lejedrejtimit shqiptare, në greqisht, pa qenë e nevojshme kryerja e testeve teorike dhe praktike.
Ndërkohë që, të njëjtat rregulla vlejnë edhe për shtetasit grekë që udhëtojnë drejt vendit tonë. Dokumenti i firmosur nga palët tashmë ka hyrë në fuqi, ndërsa ka një afat të pacaktuar.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.