Nord Stream 2, drejt përfundimit/ Medvedev: ”Brenda muajve. Sanksionet e SHBA, jo katastrofike!”
Kryeministri rus, Dimitri Medvedev, tha se gazsjellësi Nord Stream 2 do të përfundojë brenda disa muajve dhe sanksionet amerikane të vendosura tek projekti javën e kaluar, nuk do të kenë pasoja katastrofike. Marrëveshja e re e tranzitit të gazit të Rusisë me Ukrainën do të zbusë gjithashtu ndikimin e sanksioneve amerikan, sipas kryeministrit. Javën e kaluar, një kontraktor thelbësor ndërpreu punën tek projekti Nord Stream 2, që drejtohet nga firma ruse Gazprom, për shkak të sanksioneve amerikane. Sipas konsorciumit të projektit, kanë mbetur ende 160 km tubacion për t’u ndërtuar. Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se gazsjellësi, që do të shtrihet përmes detit Baltik, do ta bëjë Europën të varur nga gazi rus. Rusia ka bërë të ditur se Washingtoni po përdor sanksionet si një armë ekonomike, për të rritur shitjet e gazit natyror të lëngshëm drejt Europës.
“Patjetër që do ta përfundojmë gazsjellësin. Gazprom ka opsione te tjera për shtrimin e tyre. Do të kërkojë më shumë kohë, por s’ka problem”, tha Medvedev, duke shtuar se do të duhen pak muaj. Me projektin Nord Stream 2, Rusia planifikon të anashkalojë Ukrainën, vend që ka pasur shumë konflikte në të shkuarën. Gjatë fundjavës së kaluar, Moska dhe Kievi arritën një dakordësi, duke nënshkruar një marrëveshje 5-vjeçare të tranzitit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.