Normat e interesit – Bankat “zbuten” me bizneset
Bankat kanë ulur interesat e kredive për bizneset gjatë sezonit veror. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, interesi mesatar i kredive në lekë për tre muajt e verës ka rënë gradualisht deri në nivelin 6.97%.
Aktualisht, interesi mesatar i kreditimit të bizneseve është më i ulët se për individët, ndërkohë që përgjithësisht në dy vitet e fundit huadhënia për individët ka qenë më e lirë.
Rënia e interesave në kredinë për biznesin mund të jetë një sinjal i çlirimit të kredisë në këtë segment.
Në vijimësi, për shumë tremujorë radhazi, vrojtimet e aktivitetit kreditues të bankave kanë treguar se kredia për biznesin ka qenë mjaft e shtrënguar, sidomos në segmentin e korporatave. Mes të tjerash, kjo është reflektuar edhe në norma më të larta interesi, që tregojnë se rreziku i perceptuar nga bankat ka qenë më i lartë.
Kreditë për biznesin zakonisht kanë një përqendrim më të lartë të rrezikut te një kredimarrës i vetëm. Raporti i kredive me probleme te bizneset në të gjithë periudhën e krizës ka qenë shumë më i lartë se për individët.
Në mesin e këtij viti, raporti i kredive me probleme për individët ishte 9.4%, ndërsa për bizneset ishte 19.4%. Megjithatë, ulja progresive e raportit të kredive me probleme gjatë këtij viti duket se i ka zbutur disi bankat në kreditimin e sipërmarrjes. Në korrik dhe gusht, kredia për biznesin regjistroi rritje, ndërsa edhe normat e interesit janë në rënie.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.