Normat e interesit – Bonot dhe obligacionet ndjekin uljen e BSH
Ulja e normës bazë të interesit në fillim të këtij muaji ka sjellë një rënie të mëtejshme në interesat e letrave të borxhit të qeverisë shqiptare. Në ankandet e zhvilluara këtë javë, si bonot 12 mujore, ashtu edhe obligacionet dyvjeçare kanë ndjekur menjëherë sinjalin e politikës monetare. Për herë të parë në më shumë se një vit, interesi i bonove 12 mujore në tregun primar zbriti poshtë nivelit të 2%, më saktësisht në 1.97%. Në të njëjtin kah lëvizën edhe kthimet e obligacioneve dyvjeçare, që ranë në 2.56%, nga 2.9% që kishin qenë në ankandin e muajit të kaluar.
Lëvizja e Bankës së Shqipërisë, që uli normën bazë të interesit në minimumin historik prej 1%, ka dhënë ndikimin e vet edhe në tregun e bonove. Ndërkohë, tregu ngelet mjaft likuid dhe kërkesa e tregut për letrat e borxhit të qeverisë është e lartë. Në dy ankandet e zhvilluara gjatë kësaj jave, kërkesa totale arriti në mbi 20 miliardë lekë, ndërsa shumë e shpallur për financim përmes bonove dhe obligacioneve ishte rreth 12 miliardë lekë. Mungesa e alternativave të investimeve financiare për momentin po e mban të lartë kërkesën për tituj të qeverisë.
Gjatë gjysmës së parë të këtij viti, interesat kanë ardhur në rënie të vazhdueshme. Interesat e bonove 12 mujore kanë rënë me 0.8 pëqindje që nga fillimi i vitit. E thënë ndryshe, kthimi nga këto instrumente sot është rreth 30% më i ulët krahasuar me fundin e dhjetorit. Tregu i titujve të qeverisë po ndihmon në ruajtjen e interesave të ulëta në ekonomi. Interesi i ulët i borxhit favorizon konsumin dhe investimet, i shtyrë nga një politikë më ekspansioniste se kurrë e bankës qendrore. Kthimi i inflacionit pranë objektivit prej 3% po rezulton më i vështirë se parashikimet.
Përveç hendekut të prodhimit në ekonomi, së fundmi inflacioni po frenohet nga forcimi i vazhdueshëm i lekut në kursin e këmbimit valutor. Kjo e detyroi Bankën e Shqipërisë që, veç uljes së normës bazë, këtë muaj të niste edhe operacionet e blerjes së euros, me qëllim zhvlerësimin e lekut në kursin e këmbimit valutor.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.