Nuk dekretohet buxheti faktik 2019 – Meta: Institucionet të reflektojnë mbi mangësitë në realizimin e treguesve fiskalë
Kreu i Shtetit nuk ka dekretuar Buxhetin Faktik 2019, dokument që u miratua nga kuvendi më 16 nëntor. Presidenti i Republikës, u kërkon vëmendjen institucioneve përgjegjëse për të marrë masa, për të mos lejuar përsëritjen e treguesve të tillë në nivel financiar për vendin. Në argumentet e tij, Meta shprehet ndër të tjera se, vërehen raportime të ndryshme të nivelit të deficitit buxhetor, të detyrimeve të prapambetura dhe të borxhit publik, ndërmjet buxhetit faktik dhe raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Niveli më i lartë i deficitit buxhetor është në shkelje të ligjit “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë për vitin 2019”. Kreu i Shtetit vëren se mosrakordime ka ndër të tjera në stokun e detyrimeve të prapambetura apo rimbursimin e TVSH. Gjithashtu, ekzistojnë mangësi në zbatimin e sistemeve të kontrollit në sistemin e thesarit. Shkeljet me pasojë dëm në buxhetin e shtetit në formën e të ardhurave të munguara, si dhe shpenzime me dëm ekonomik prej 2.1 miliardë lekësh.
Sipas argumenteve të Presidentit të Republikës, ka të ardhura apo shpenzime të realizuara në kushtet e parregullsive në zbatimin e dispozitave ligjore në fuqi, me efekte negative për buxhetin e shtetit e vitit 2019 në vlerën e 84,3 miliardë lekëve.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.