Nuk ka udhëzim për shtyrjen e vitit shkollor – Në Fletoren Zyrtare publikohet udhëzimi i vjetër, mësim plotësues vetëm 2 javë
Pavarësisht, se ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka njoftuar shtyrjen e nisjes së vitit të ri shkollor, me qëllim realizimin e mësimit plotësues, në Fletoren Zyrtare është publikuar udhëzimi i vjetër, që parashikon mësime shtesë nga data 1-10 shtator. Kjo do të thotë se aktualisht nuk ka asnjë dokument zyrtar, që parashikon afatet e njoftuar nga ministrja të nisjes dhe përfundimit të vitit shkollor 2021-2022.
Sipas udhëzimit të publikuar në Fletoren Zyrtare për arsimin fillor dhe arsimin e mesëm të ulët parashikohet përsëritja dyjavore e temave mësimore, për të cilat janë evidentuar mangësi, për shkak të zhvillimit të mësimit në kushtet e pandemisë, teksa ky proces do të realizohet gjatë periudhës 1–10 shtator 2021. Por, në një deklaratë për mediat të para disa ditëve, ministraje Evis Kushi tha se viti i ri shkollor do të nisë në datë 27 shtator dhe jo në datë 13 shtator, ndërkohë që periudha e mësimit plotësues do të jetë në periudhën 1-24 shtator.
Megjithatë, pavarësisht se shtyrja me 2 javë e nisjes së vitit të ri shkollor ka për qëllim rekuperimine mëngësive të krijuara gjatë mësimit online për shkak të pandemisë, nxënësit nuk janë të detyruar të shkojnë në shkollë. Ndërkaq, risi për këtë viti shkollor është futja për herë të parë e gjuhës angleze në klasat e para si dhe trajnimi i mësuesve përkatës që do të japin këto orë mësimore.
Po ashtu, kërkohet vendosja e një bashkëpunimi të ngushtë të stafit me prindërit dhe komunitetin, për krijimin e një modeli të ri të sjelljes së nxënësve, mësuesve dhe prindërve në ambientet e shkollës dhe jashtë saj, bazuar në protokollet e situatës së COVID-19. Nga ana tjetër, bazuar në të dhënat dhe në protokollet që përcaktohen nga Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, si dhe në varësi të situatës pandemike të shkaktuar nga COVID-19, institucionet arsimore mund të zbatojnë skenarët e ndjekur gjatë vitit shkollor 2020–2021.
Sipas udhëzimit, skenarët janë fleksibël dhe zbatimi i tyre në shkolla varet nga situata lokale e pandemisë ose nga situata që mund të krijohen në shkolla të veçanta. Kjo nënkupton që të tre skenarët mund të zbatohen në të njëjtën kohë në të gjithë vendin, në varësi të situatave të krijuara në shkolla apo qytete të veçanta. Shkollat mund të kombinojnë edhe variantet brenda një skenari në varësi të numrit të nxënësve që kanë në klasa.
Ola Mitre/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.