Nuk plotësonin standardet për sigurinë ushqimore, AKU gjobit dhe bllokon aktivitetin e 6 subjekteve. Konfiskon 434 kg peshk
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, përveç aksionit për mbylljen e pikave të therjes të paligjshme dhe që nuk plotësojnë standardet e sigurisë ushqimore, në fokus ka edhe dyqanet e tregtimit të mishit dhe peshkut.
Drejtoria e AKU-së Tiranë, ndërmori sot një aksion në tregun e Kombinatit, ku inspektoi 5 subjekte, dy prej të cilave ushtronin aktivitetin e tregtimit të peshkut dhe 3 të mishit.
Inspektorët e AKU gjobitën 3 subjekte në vlerën e 850 mijë lekëve, për mungesë të kushteve higjeno-sanitare dhe të gjurmueshmërisë, si dhe bllokuan aktivitetin e 3 subjekteve, dy tregtim peshku e një tregtim mishi, ndërkohë që u konfiskuan edhe 434 kilogramë peshk.
Dy prej 5 subjekteve të inspektuara, u paralajmëruan nga inspektorët e AKU, ndërsa aksioni vazhdon në të gjithë vendin.
“AKU bën të ditur se çdo subjekt i tregtimit të produkteve ushqimore, nuk do të lejohet të vazhdojë aktivitetin dhe do të penalizohet, nëse nuk siguron konsumatorin, në të gjithë zinxhirin e sigurisë ushqimore”, thuhet në njoftimin e AKU-së.
os.de/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.