Nuk u është miratuar kompensimi. 6,950 pronarë pritet t’i drejtohen gjykatave për të paditur Agjencinë e Trajtimit të Pronave
6,950 pronarë pritet t’i drejtohen gjykatave për të paditur Agjencinë e Trajtimit të Pronave në vijim pasi kërkesat e tyre nuk kanë marrë përgjigje nga kjo e fundit. Shifra bëhet e ditur nga vetë Agjencia e Trajtimit të Pronave në raportin e punës për katër muajt e parë të vitit 2020.
Agjencia e Trajtimit të Pronave e ka përfunduar procesin e njohjes së pronësisë me datë 23 shkurt 2019, por vijon aktivitetin e saj mbështetur në pikën 2 të nenit 34 në ligjin 133/2015, ku citohet se: “Nëse ATP-ja nuk përmbush detyrimin për të trajtuar kërkesat e përcaktuara në pikën 1, të këtij neni, brenda afatit 3-vjeçar, atëherë subjektet mund t’i drejtohen gjykatës së shkallës së parë për të trajtuar kërkesën e tyre, sipas përcaktimeve të këtij ligji”, për 6950 kërkesat e patrajtuara ATP-ja ka përfunduar procedurën e njoftimeve duke bërë me dije se për njohjen dhe kompensimin e pronës së pretenduar subjektet kërkues mund t’i drejtohen gjykatës së shkallës së parë, të vendit ku ndodhet prona.
Trendi i fortë në rritje i padive ndaj Agjencisë së Trajtimit të Pronave është verifikuar gjatë muajve të verës.
Vetëm gjatë muajit korrik, Agjencia raporton 99 padi ndaj saj për ndjekje në Gjykata. Ndërkohë përgjatë gjitha vitit 2020, arrin në rreth 500 numri i padive të reja nga ana e pronarëve ndaj Agjencisë së Trajtimit të Pronave.
Një numër shumë i madh padish të ngritura nga pronarët presin prej vitesh nëpër gjykata, veçanërisht në atë të Lartën. Ndërkohë që sipas parashikimeve, paditë do të vijojnë për shkak të shifrave shumë të larta që pretendojnë pronarët nga shteti. Vetëm Agjencia e Trajtimit të Pronave ka vlerësuar se se fatura financiare për kompensimin e pronarëve arrin në 101 miliardë lekë, afërisht 1 miliardë dollar, ndërkohë që shoqatat e pronarëve pretendojnë një vlerë rreth 4 herë më të madhe. Deri në fund të vitit 2019 janë shqyrtuar në total mbi 26 mijë dosje pronarësh, ndërkohë që shifra prej 1 miliardë eurosh i korrespondon afërsisht 18 mijë vendimeve për kompensim.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.