Objektivat globalë për “zero karbon” / Shumë larg trajektores. Ulen emetimet por rritet ndjeshëm kërkesa
Sistemi botëror i energjisë është bërë më i gjelbër në dekadën e fundit, por më shumë vende janë ende larg arritjes së emetimeve zero deri në mes të këtij shekulli. Emetimet zero të karbonit, apo “Net Zero”, janë bërë të rëndësishme nga ana diplomatike për politikanët, por objektivi qëndron ende larg, pa ndonjë ndryshim të dukshëm. Në vitet e fundit, konsumi i energjisë është bërë më pak intensiv ndaj karbonit, por jo shpejtë mjaftueshëm për të kompensuar rritjen e shpejtë të përdorimit të energjisë, për shkak të rritjes së të ardhurave dhe kërkesave nga vendet e zhvilluara. Konsumi botëror i energjisë u rrit me një normë të përbërë prej 1.9% në 10 vitet përpara pandemisë, ndërsa emetimet e dioksidit të karbonit të lidhura me energjinë, u rritën me një mesatare prej 1.4%. Zëvendësimi i energjisë nga qymyri me energji të erës, diellit apo gazit, si dhe përmirësime në eficencën e djegies, kanë ulur emetimet për njësi të konsumit të energjisë në shumë vende.
Megjithatë, rritja e kërkesës ka sjellë një rritje në total të emetimit të gazrave ndotës të lidhur me energjinë, sipas raportit të BP. Në total, emetimet e CO2 të lidhura me energjinë në të gjithë botën, shënuan një rekord prej 34.2 miliardë ton në vitin 2019, nga 29.7 milionë ton në 2009 dhe 23.1 miliardë ton në vitin 1999. Megjithatë, pandemia, masat e karantinës dhe cikli i biznesit, ka gjasa të ketë ulur konsumin e energjisë dhe ndotjen në vitin 2020, sipas raportit.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.