Obligacionet 10 vjeçare – Të martën ankandi, priten interesa pranë 7%
Fillimi këtij viti do të sjellë një mundësi të mirë investimi në obligacionet e qeverisë shqiptare.
Ditën e martë, Ministria e Financave do të organizojë një emetim të ri të obligacioneve 10-vjeçare, për një shumë totale të shpallur prej 3.5 miliardë lekësh. Obligacionet 10 vjeçare janë instrumenti më afatgjatë i huamarrjes publike dhe rrjedhimisht, ofrojnë edhe kthimet më të larta nga investimi.
Në ankandin e fundit për këto instrumente, që u zhvillua në tetor të vitit 2017, kuponi ose interesi mesatar i obligacioneve 10 vjeçare ishte 6.45%. Interesat e instrumenteve të borxhit qeveritar kanë regjistruar një tendencë të lehtë rritëse në tremujorin e fundit 2017.
Kjo rritje është shtrirë si te bonot, ashtu edhe te obligacionet, ndaj pritshmëritë janë për një reflektim edhe te obligacionet 10 vjeçare. Kuponi indikativ i paraqitur nga Ministria e Financave është 6.9%, ndaj pritshmëritë janë që interesat në ankand të arrijnë sipër kufirit të 7%.
Një kthim i këtyre niveleve është sigurisht mjaft tërheqës, në një periudhë kur normat e interesit në tregjet financiare ngelen pranë vlerave më të ulëta historike. Rrjedhimisht, pritet që investitorët që kanë fonde të lira për të investuar të jenë mjaft të interesuar për blerjen e këtyre obligacioneve.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.