OBSH, apel për barazi shëndetësore – Dita Botërore e Shëndetit, ambasada e SHBA-ve kërkon vlerësimin e personelit shëndetësor
Teksa vendet po përballen me pandeminë e shkaktuar nga COVID-19, në Ditën Botërore të Shëndetit që shënohet çdo 7 prill, Organizata Botërore e Shëndetësisë , bën thirrje për veprim për të eleminuar pabarazitë shëndetësore, me qëllim ndërtimin e një bote më të drejtë dhe më të shëndetshme. Fushata nxjerr në pah parimin kushtetues të OBSH-së se “gëzimi i standardit më të lartë të arritshëm të shëndetit është një nga të drejtat themelore të çdo qenie njerëzore pa dallim race, feje, besimi politik, gjendje ekonomike ose shoqërore”. Ky apel merr një rëndësi të veçantë, në një kohë kur në shpërndarjen e vaksinës anticovid janë regjistruar pabarazi të mëdha mes vendeve. Ndërkaq, edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë i ka kushtuar rëndësi të veçantë kësaj dite, teksa e ka vënë theksin te vlerësimi që duhet të kemi për punonjësit e kujdesit shëndetësor.
MESAZHI I AMBASADËS AMERIKANE NË TIRANË
“7 Prilli shënon festimin e Ditës Botërore të Shëndetit, një ditë për të shprehur vlerësimin tonë për të gjithë punonjësit shëndetësorë të cilët përpiqen çdo ditë për një botë më të shëndetshme. Këtë vit, kjo ditë merr një kuptim akoma më të veçantë, pasi u jemi mirënjohës më shumë se kurrë të gjithë punonjësve të shëndetit në të gjithë botën që po luftojnë COVID-19 çdo ditë dhe po rrezikojnë jetët e tyre, për të shpëtuar tonat! Bashkohuni edhe ju me këtë ditë, falënderoni një punonjës shëndetësor sot!”.
Dita Botërore e Shëndetit është një mundësi më shumë për t’u kujdesur për shëndetin dhe për t’u bërë thirje qeverive të çdo vendi që të gjithë duhet të kenë akses në kujdesin shëndetësor që u nevojitet, kur dhe ku kanë nevojë.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.