OBSH paralajmëron mbi rritjen e infektimeve – Ghebreyesus: Merrni masa tani për të parandaluar skenarët më negativë
Disa vendet anembanë botës përballen me një rrezik të madh nga rritja e infeksioneve me koronavirus, pasi kapacitetet në spitale po arrijnë maksimumin. Paralajmërimi vjen nga Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus. Europa po raporton një rritje të shpejtë të rasteve me Covid-19 dhe të vdekjeve, me infektimet e reja që janë rritur me rreth 25% gjatë javës.
Edhe për vendet që i kanë mbajtur nën kontroll shpërthimet e reja, Tedros bën thirrje që të dyfishohen përpjekjet dhe të merren masa shtesë të menjëhershme. “Shumë vende po shohin një rritje eksponenciale të rasteve me koronavirus dhe po shkojnë pranë kapaciteteve në spitale. Duhet të mbajmë mend se jemi në tetor dhe dimri nuk ka filluar ende”, paralamëroi drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, në një konferencë për mediat në Gjenevë.
Ai i bëri thirrje liderëve globalë, sidomos në vendet ku rastet e reja po rriten me shpejtësi, që të merrem masa tani, për të parandaluar skenarët më të këqinj në të ardhmen. Covid-19 ka prekur më shumë se 41.8 milionë njerëz në të gjithë botën, ndërsa mbi 1.1 milionë persona kanë gjetur vdekjen. Franca, Mbretëria e Bashkuar, Rusia, Republika Çeke dhe Italia përfaqësojnë rreth gjysmën e rasteve të raportuara në rang global gjatë kësaj periudhe.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.