OBT i jep të drejtë Kinës. SHBA ka shkelur rregullat me tarifat tregtare
Organizata Botërore e Tregtisë arriti në përfundimin se, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë thyer rregullat globale të tregtisë duke vendosur tarifa disa miliarda dollarëshe në kuadër të luftës tregtare të administratës Trump ndaj Pekinit zyrtar.
Ky vendim ka nxitur ndjeshëm zemëratën e Shtëpisë së Bardhë. Sipas kësaj të fundit, tarifat e vendosura dy vite më parë ndaj 200 mld dollarëve produkte importi nga Kina ishin të justifikuara sepse Kina është duke vjedhur pronësinë intelektuale të Shteteve të Bashkuara.
Por, paneli me tre anëtarë i Organizatës Botërore të Tregtisë u shpreh se tarifat amerikane shkelin rregullat e përbashkëta pasi aplikohen vetëm ndaj Kinës, si dhe janë përtej nivelit tavan të lejuar, që është dakordësuar edhe nga vetë Shba. Gjithsesi, vendimi me shumë gjasa do të ketë efekt minimal ndaj tarifave, si dhe është vetëm fillimi i një procesi ligjor që mund të kërkojë vite.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.