OECD për Italinë, Gurria: Reforma e punës nuk mund të zhbëhet
Italia do të tregohej e pamatur dhe jo e mençur në rast se do të zhbënte reformën në tregun e punës, të kaluar gjatë qeverisë së drejtuar nga ish-kryeministri Matteo Renzi, deklaroi Angel Gurria, kreu i Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim.
Deklarata e tij erdhi vetëm pak çaste përpara takimit të ministrave të financave të 20 vendeve më të industrializuara të globit.
“Jobs act, siç njihet ndryshe reforma e punës në vend, është një ndër transformimet më rrënjësore. Unë nuk besoj se ky transformim do të zhbëhet”-nënvizoi Gurria, duke shtuar se, diçka e tillë, pa diskutim që do të ishte e pamatur.
“Nuk mendoj se dikush po e mendon seriozisht diçka të tillë”-mbylli Gurria deklaratën e tij për mediat. Reforma e punës në Itali, ose Jobs Act, është kontestuar nga sindikatat, e madje çështja shkoi deri në gjykatën kushtetuese.
Kjo e fundit, më herët gjatë vitit, hodhi poshtë pretendimin e unionit të tregtisë për të bërë një referendum mbi një ndër pikat më të diskutuara të reformës, atë që e bën më të lehtë për punëdhënësit që të pushojnë nga puna, punëmarrësit.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.