OECD rishikon Francën – Rrit projeksionet për ekonominë, mirëpret reformat e Macron
Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik bëri të ditur se Franca do të ketë normën më të lartë të rritjes ekonomike që prej vitit 2011, duke dhënë rishikimin e parë të ekonomisë, që kur Emmanuel Macron u bë president.
Duke mirëpritur axhendën e reformave të Macron, Organizata shtoi se do të duhet një plan afat-gjatë për të ulur shpenzimet publike, që mbajnë vlerën më të lartë në 35 vendet anëtare. Pas një rritjeje me vetëm 1.1% vitin e kaluar, ekonomia franceze pritet të përshpejtohet në 1.7% këtë vit, që është norma më e fortë në 6 vite, megjithatë poshtë mesatares së Eurozonës.
Rritja e Produktit të Brendshëm Bruto do të ngadalësohet lehtë vitin që vjen, në 1.6%, raportoi organizata me seli në Paris. Në mënyrë që të reduktohet borxhi dhe të mundësohet ulja e taksës mbi punën, Franca duhet të trajtojë financat, me reduktime graduale të shpenzimeve publike, që qëndrojnë aktualisht në më shumë se 56% të outputit ekonomik.
Franca ka bërë përpjekje për të ulur deficitin e sektorit publik dhe Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik pret që të bie nga 3% këtë vit, në 2.9% në 2018-ën. Duke pasur një nivel që thyen rregullat e Bashkimit Europian, Qeveria franceze ka caktuar një nivel objektiv të deficitit në sektorin publik në 2.7% të PBB për vitin 2018. Presidenti Emmanuel Macron planifikon të ulë shpenzimet vitin që vjen me 20 miliardë euro, megjithatë pjesa më e madhe e kursimeve do të zbehen nga ulja e taksave dhe rritja e shpenzimeve në fusha me prioritet si edukimi.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.