OECD ul projeksionet globale – Lufta tregtare dhe tkurrja monetare do ngadalësojnë ekonominë
Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, deklaroi se lufta tregtare dhe rritja e normave të interesit, po ngadalësojnë ekonominë globale, megjithatë shtoi se nuk ka shenja të një recesioni. Organizata projektoi se rritja e ekonomisë globale do të ngadalësohet nga 3.7% këtë vit në 3.5% në dy vitet e ardhshme.
Ngadalësimi do të jetë më i dukshëm në vendet që nuk janë pjesë e OECD, ndërkohë që shumë ekonomi në zhvillim do të pësojnë dalje të kapitalit, prej rritjes së normave të interesit në Shtetet e Bashkuara. Organizata uli projeksionet për vendet që do të rrezikohen si Brazili, Rusia, Turqia dhe Afrika e Jugut.
Rritja e normave të interesit mund të bëjë gjithashtu që tregjet financiarë të ri çmojnë rreziqet nën të cilat investitorët janë ekspozuar, duke sjellë një luhatje të madhe në tregje. “Këtë herë do të përballemi me sfida për shkak të tensioneve tregtare dhe daljes së kapitalit nga tregjet në zhvillim drejt vendeve që po rrisin normat e interesit” – deklaroi Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik.
Lufta e plotë tregtare dhe pasiguria që do të ndjekë, pritet ti heqë 0.8% rritjes së PBB botëror deri në vitin 2021, sipas llogaritjeve të Organizatës. Organizata la të pandryshuar projeksionet për SHBA në vitin 2018 dhe 2019, por uli vlerësimin e vitit 2020, për shkak të zbehjes së efektit të politikave fiskale.
Ekonomia kineze, do të ngadalësohet nga 6.6% këtë vit në nivelin më të ulët në 30 vite prej 6% në 2020-ën, prej luftës tregtare. Për Eurozonën, perspektiva ishte më e zymtë krahasuar me Shtatorin, ndërkohë që ekonomia pritet të ngadalësohet nga 2% këtë vit në 1.6% pas 2 vitesh, pavarësisht politikave stimuluese monetare.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.