Olsian Çela nis detyrën si Kryeprokuror i Shqipërisë! ‘Tërmeti’ në listën e prioriteteve
Olsian Çela e ka nisur ditën e sotme në zyrën e Kryeprokurorit të Përgjithshëm, pas dorëzimit të këtij posti, nga Arta Marku. Pas votimit të ditës së djeshme në parlament me 101 vota, Olsian Çela do të qëndrojë në këtë post për shtatë vitet e ardhshme.
Në daljen e tij të parë publike, si kryeprokuror i përgjithshëm, Çela u ndal të fliste rreth gjendjes së rënduar në të cilën ndodhet vendi ynë pas tërmetit të 26 nëntorit, duke theksuar se prokuroria do të japë përgjigje konkrete për të gjithë ata njerëz të cilët janë prekur më së shumti nga kjo situatë.
‘’Besoj se janë mundësitë pasi ekziston mbështetja, dhe kemi kapacitetet për t’i dhënë vendit një të ardhme më të mirë. Rezultatet e punës sonë kanë një rëndësi të jashtëzakonshme, pasi vendi po përballet me një krizë shumë të madhe për shkak të ngjarjeve të ndodhura në fund të muajit nëntor. Ndaj besoj se përgjigja që prokuroria duhet të japë në rastin konkret duhet të spikasë dhe në raport me atë që po bëjnë institucionet e tjera, pasi njerëzit sot po kërkojnë drejtësi, dhe gjëra konkrete. Ky është një rast për ta treguar këtë, edhe pse vjen nga një fatkeqësi shumë e madhe për vendin’’- është shprehur ndër të tjera Kryeprokurori i ri i Përgjithshëm, Olsian Çela.
Elefteria Zguri/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.