“Omicron, së shpejti mbizotërues” – Kluge: Për pak javë do të jetë varianti kryesor në Europë
Omicron do të bëhet varianti mbizotërues i koronavirusit në Europë në nisje të vitit 2022, sipas Organizatës Botërore të Shëdnetësisë. Shefi rajonal për Europën i Organizatës, Hans Kluge, ka paralajmëruar vendet që të përgatiten për një rritje të madhe të rasteve. Ai tha se Omicron, që është bërë mbizotërues në Britani, Danimark dhe Portugali, ka gjasa të kthehet në variantin kryesor në të gjithë Europën brenda pak javëve.
Sipas Organizatës, njerëzit duhet të përshtaten me qasjen e një vaksine plus, duke u vaksinuar, marrë dozën nxitëse, vendosur maska, ndërkohë që përjashtojnë kontaktet jo të nevojshme për Krishtlindje dhe Vit të Ri. Shtetet duhet gjithashtu të jenë gati të zbatojnë masa më të ashpra, por karantinat duhet të përdoren vetëm në rast se nuk ka zgjidhje tjetër, duke marrë parasysh kostot ekonomike dhe sociale. Kluge tha se nuk është e qartë se sa zgjat imuniteti pas dozës së tretë. Izraeli pritet të bëhet vendi i parë në botë që ofron një dozë të katërt për njerëzit e cënuar.
“Le të kujtojmë që Izraeli ishte vendi i aprë që nisi, e për rrjedhojë doza e katërt atje është si një dozë e tretë në vendet e tjera”- tha Kluge. Disa studime sugjerojnë se Omicron shkakton sëmundje më pak të ashpër se sa varianti Delta që është mbizotërues në shumë vende, por shkencëtarët po debatojnë ende për këtë gjë. Kluge tha se do të duhen 3-4 javë deri sa të kthehet një përgjigje.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.