OPEC, me perspektivë të zymtë – Ul projeksionet e kërkesës për 5 vitet e ardhshme
Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës ka ulur projeksionet për kërkesën botërore të arit të zi në afat-mesëm dhe afat-gjatë, duke përmendur kushtet e tregut dhe ngadalësimin e ekonomisë botërore.
Në raportin vjetor “Perspektiva Botërore e Naftës”, organizata bëri të ditur se 12 muajt e fundit kanë qenë sfidues për tregjet e energjisë . “Shenja të rrezikut janë shfaqur në ekonominë botërore dhe perspektiva është rishikuar në rënie”, deklaroi OPEC.
Për rrjedhojë, organizata ka ulur projeksionet për rritjen e kërkesës botërore për naftë në 104.9 milionë fuçi në ditë deri në vitin 2023 dhe 110.6 milionë fuçi në ditë deri në 2040-ën. Grupi prodhues prej 14 anëtarësh deklaroi se prodhimi i kartelit pritet të bjerë në 5 vitet e ardhshme, në 32.8 milionë fuçi në ditë në 2024.
Për 2019-ën, prodhimi qëndroi në 25 milionë fuçi në ditë. Raporti vjen në një kohë kur lojtarët e tregut të energjisë janë shqetësuar mbi rritjen e ofertës dhe rënien e kërkesës, që është e njëjta situatë që solli rënien e shpejtë të çmimeve në vitin 2014.
Që prej muajit Tetor 2018, kur nafta Bret preku nivelin e lartë prej 86 dollarë për fuçi, çmimi i treguesit ndërkombëtar të naftës ka rënë me rreth 30%.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.