OPEC “rrëzon” naftën – Investitorët në pritje të takimit të organizatës
Çmimet e naftës i janë rikthyer humbjeve në sesionin e sotëm, duke kthyer një pjesë të fitimeve të realizuara gjatë kësaj jave. Investitorët janë në pritje të takimit të prodhuesve të naftës, të cilët mund të bien dakord për shtyrjen e afatit të uljes së prodhimit.
Ministrat e Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës, Rusia dhe prodhuesit e tjerë do të takohen në premten në Vjenë, për të diskutuar politikën e ardhshme të naftës.
OPEC dhe aleatët e tjerë jashtë organizatës, deri më tani, e kanë reduktuar prodhimin me 1.8 milionë fuçi në ditë, dhe kjo marrëveshje është në fuqi deri në mars të 2018, në përpjekje për të zvogëluar rezervat globale.
Nafta Brent e Londrës ra sërish poshtë 56 dollarëve për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet lehtë mbi nivelin e 50 dollarëve. Të dyja kontratat janë rritur me rreth 15%, vetëm në tre muajt e fundit.
Por, në disa raste përpjekjet e OPEC janë zbehur nga rritja e prodhimit nga disa vende të tjera, duke përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku prodhimi ka prekur nivele rekord.
Referuar të dhënave të qeverisë amerikane, prodhimi i naftës në SHBA ka arritur në 9.51 milionë fuçi në ditë, nivel i përafërt me Arabinë Saudite që është prodhuesi më i madh në botë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.