Operacioni “Exchange” – Përfituan me anë të mashtrimit 430 mijë euro, ndalohen dy shtetas
Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Exchange”, ku janë ndaluar dy shtetas, si dhe është sekuestruar një shumë e konsiderueshme parash, në euro dhe valutë.
Specialistët për hetimin e krimit ekonomik dhe financiar pranë D.V.P. Tiranë kanë ndaluar shtetasit e shpallur në kërkim për veprën penale të “Mashtrim i kryer në bashkëpunim”.
Konkretisht më datë 23.07.2017 në sajë të informacioneve të marra në rrugë operative, nga ana e tyre u bë e mundur ndalimi i shtetasve A. A 36 vjeç dhe O. A 32 vjeç, burrë e grua, banues në Tiranë.
Këta shtetas ishin shpallur në kërkim nga seksioni i hetimit të krimit ekonomik dhe financiar, pasi në bashkëpunim me njëri- tjetrin, iu kanë marrë shtetasve të ndryshëm shuma të konsiderueshme parash (në euro dhe valutë), me vlerë 430.000 euro.
“Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan:
– 773.400 lekë
– 450 euro
– 100 dollar
– 350 paund.
Materialet u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor në ngarkim të tyre, për veprën penale “Mashtrim i kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga Neni 143/3 i Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e Policisë Tiranë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.