Operacioni “Summer 2017“ – Policia e shtetit bllokon 4 automjete në Elbasan
4 automjete luksoze të markave të ndryshme janë bllokuar nga Specialistët e Seksionit për Trafiqet e Paligjshme, në Drejtorinë Vendore të Policisë në Elbasan, në vijim të operacionit të koduar “SUMMER 2017”.
Këto mjete, dyshohet të jenë trafikuar nga vendet e BE-së në Republikën e Shqipërisë. Në kuadër të prioriteteve të Drejtorisë Vendore të Policisë së Elbasanit, për parandalimin e ngjarjeve kriminale, goditjen e aktivitetit kriminal të trafikimit të mjeteve motorike, armëmbajtjes pa leje, specialistët e Seksionit për Trafiqet e Paligjshme, në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan kanë vijuar zbatimin e plan – operacionit me qëllim bllokimin e automjeteve motorike të trafikuara në Republikën e Shqipërisë nga vendet e BE-së.
Policia e shtetit bën me dije se, gjatë këtij operacioni janë proceduar penalisht 4 shtetas. Ndaj tyre, materialet proceduriale i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, parashikuar nga Neni 141/a dhe 190 të Kodit Penal.
Gjithashtu në kuadër të zbatimit të Plan – Operacionit “Summer 2017 Elbasani” janë arrestuar 2 shtetas për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” parashikuar nga neni 278 I Kodit Penal. Një ditë më parë u sekuestruan nga policia e shtetit 12 automjete luksoze dhe u proceduan 17 shtetas.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.